Prokuroria zbardh rolin e 5 të ndaluarve në grabitjen me armë në aeroportin e Rinasit
Prokuroria ka zbardhur detaje të reja mbi përgjegjësitë e 5 personave të ndaluar, për grabitjen e 1 milionë eurove, në pistën e aeroportit të Rinasit, “Nënë Tereza”.
Arben Karafili, me detyrë Shef i Stacionit të Kompanisë ICTS, përgjegjëse për sigurinë në pistë, është një ndër personat që ka patur dijeni për mungesën e elementëve të sigurisë, në perimetrin e aeroportit.
Sipas Prokurorisë, Karafili nuk ka marrë masat për parandalimin e ngjarjeve të tilla, edhe pse ka qenë i informuar për riskun në portën ku hynë grabitësit.
Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, agjentë të sigurisë, në kompaninë ICTS, që kanë patur detyrë të patrullojnë perimetrin ku ndodhi grabitja, rezultojnë të mos i kenë kryer patrullimet sipas planit të masave.
Vangjel Nikolla, me detyrë Drejtor i Shërbimeve Aeroportuale në Rinas, nuk ka bërë kontrollin e elementëve të sigurisë, që ka marë përsipër firma nënkontraktore “ICST Albania” sipas kontratës, të nënshkruar.
Rol të dyshimtë ka patur edhe Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare në kompaninë “Nazeri 2000”. Prokuroria thotë se ai nuk ia ka lënë shoferit drejtimin e furgonit të blinduar, ku ishin paratë, por e ka drejtuar vetë, nga terminali drejt pistës.
Gjithashtu ky person, në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit, në kundërshtim me rregulloren, ka mbajtur të hapura dyert e mjetit, duke i dhënë mundësi autorëve të ngjarjes, të futen në kasafortën e mjetit dhe të vjedhin sasinë e parave.
Të gjithë këta persona akuzohen për shpërdorim detyre dhe në ditët në vijim do të dalin para gjykatës, për t’u njohur më masën e sigurisë.
Një ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se nën hetim janë edhe zyrtarë të policisë, për zbatimin e masave të sigurisë në aeroportin ndërkombëtar.
Tv Klan