Propozimi i PPE për 15 kushtet ndaj Shqipërisë


Propozimi i PPE për 15 kushtet ndaj Shqipërisë

20:32 15/06/2020

Të përfshihen në rezolutën e Parlamentit Europian për negociatat

Partitë Popullore Europiane kërkojnë që të përmenden edhe njëherë 15 kushtet për hapjen e negociatave të Shqipërisë.

Dy eurodeputetë të këtij grupimi, Kinga Gal dhe David Lega që është edhe raportues për Shqipërinë, e konsideruan të paplotë rezolutën që pritet të miratojë Parlamenti Europian dhe kërkuan shtimin e kushteve të tilla si miratimi i reformës zgjedhore, krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë, finalizimi i ngritjes së strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit, etj.

“Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes së Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”.

Në Mars të këtij viti, Këshilli Europian ra dakord në parim për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por tani eurodeputetët e PPE kërkojnë që për Shqipërinë kushtet të përfshihen para nisjes në praktikë të procesit të negociatave.

PPE është grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe përbëhet nga 187 deputetë. Rezoluta për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet të hidhet për votim në Parlamentin Europian brenda disa ditëve.

Tv Klan






Të ngjashme