Opozita serbe nuk i ndal protestat
Opozita serbe nuk po i ndal protestat kundër Presidentit Aleksandër Vuçiç në Beograd. Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në bulevardet në qendër të kryeqytetit serb, për të pestën javë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit të cilin e akuzojnë për vendosjen e diktaturës.
Edhe këtë herë slogani mbizotërues ishte “një nga 5 milionë” si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Vuçiçit se nuk do t’ua linte partive opozitare pushtetin edhe sikur 5 nga 7 milionë banorët e Serbisë të dilnin në protesta. Të tjera parrulla akuzonin presidentin për shtypje të opozitës pas dhunës ndaj një prej liderëve Borko Stefanoviç por edhe të mediave.
Në protestë ishin përfshirë edhe nostalgjikë të ish-Jugosllavisë.
Prej zgjedhjeve të 2016-ës, Vuçiç ka një shumicë të konsoliduar në Parlament, ndaj dhe ka sfiduar opozitën me zgjedhje të parakohshme ku sondazhet tregojnë se mbështetet nga më shumë se 53 % e votuesve.
Tv Klan