Protesta në Kirgizistan, të dorëhiqet Presidenti
Pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Kirgizistan, mijëra njerëz kanë protestuar dhe kanë akuzuar partinë fituese për blerje të votave dhe kërcënim të njerëzve.
Protesta më e madhe u bë në kryeqytetin Bishkek, por tubime pati edhe në vende tjera të ish republikës Sovjetike.
Nga rezultatet e votimeve doli se vetëm katër parti, nga 16 sa ishin kanë kaluar pragun prej 7% për hyrje në parlament dhe tre prej tyre ishin parti që kanë lidhje të ngushta me Presidentin Sooronbai Jeenbekov. Edhe monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve kanë mbështetur protestuesit dhe kanë thënë se pretendimet e blerjes së votave janë “të besueshme”.
Asnjë nga partitë opozitare nuk morën vend në parlament dhe të gjitha kanë deklaruar se nuk do të njohin rezultatet e zgjedhjeve. Kandidatët e opozitës po i bëjnë thirrje Komisionit Qendror Zgjedhor, të anulojë rezultatet e votimit.
Ndërkohë, kandidati Ryskeldi Mombekov, nga një parti opozitare iu drejtua një turme me më shumë se 5,000 protestues, me fjalët se “Presidenti premtoi të ketë zgjedhje të ndershme. Ai nuk e mbajti fjalën e tij.”
Partia e Mombekov, Ata Meken, në sondazhet e bëra kishte qenë e sigurt që do të hynte në parlament, por edhe ajo u bë pjesë e tetë partive që nuk e kaluan pragun.
Protestat në vend po vazhdojnë dhe protestuesit po i bëjnë thirrje Presidentit Jeenbekov të japë dorëheqjen./tvklan.al