3 protestues të arrestuar, 8 në kërkim
Policia ngre 5 akuza ndaj tyre
3 persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, 8 janë shpallur në kërkim dhe 4 janë proceduar në gjendje të lirë, pas protestave të zhvilluara te Kryeministria dhe Ministria e Brendshme, për vrasjen e Klodian Rashës.
Ata akuzohen për 5 vepra penale, duke filluar nga tubime të paligjshme, shkatërrim i pronës, mosbindje ndaj policisë, pengim i qarkullimit dhe kundërshtim i oficerit të policisë.
Mes personave të shpallur në kërkim është edhe këngëtari Arkimend Lushaj, i njohur si Stresi.
Arrestimet kanë ardhur pas analizimit të pamjeve filmike ku disa të rinj dallohet që qëllojnë policinë me gurë dhe sende të forta, i venë flakën pemës së Krishtlindjeve te Kryeministria, djegin disa zbukurime pranë Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë, si dhe kundërshtojnë uniformat blu.
Pikërisht këto përplasje bënë që të plagosen 16 oficerë policie, ku njëri prej tyre rrezikon ende të humbasë njërin sy, ndërsa disa të tjerë janë dëmtuar në kokë e pjesë të tjera të trupit.
Por me pamje filmike janë regjistruar edhe sjellje të paligjshme të forcave të rendit, si kjo që po shihni, ku një efektiv godet disa herë një protestues të ndaluar, sapo e fut në furgonin e policisë.
Në mëngjes, disa orë pas këtyre zhvillimeve, autoritetet nisën riparimin e dëmeve që la protesta e një dite më parë.
Tv Klan