Protesta për Teatrin (4 Mars 1999)


Protesta për Teatrin (4 Mars 1999)

15:19 04/03/1999

Shkallëzohet protesta për Teatrin Kombëtar. Një mbledhje e Asamblesë së Teatrove të Shqipërisë dhe Sindikatës së Aktorëve e organizuar në mjediset e Teatrit Kombëtar, ka vendosur që grevat dhe protestat të përfshijnë të gjitha skenat shqiptare. Nesër të gjithë aktorët do të organizojnë një grevë një orëshe për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Protestat dhe grevat do të përshkallëzohen deri në anulim të shfaqjeve. Por cilat janë kërkesat e aktorëve?

Dy javë më parë Sindikata e Aktorëve ka paraqitur para Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Parlamentit Shqiptar një listë me 13 kërkesa. Takimi i Kryeministrit me një përfaqësi të aktorëve i dha zgjidhje disa kërkesave por disa të tjera mbeten për t’u plotësuar në të ardhmen. Me sa shihet artistet e skenës dhe filmit kërkojnë të shkarkohet Ministri i Kulturës Edi Rama si dhe të pezullohet përgatitja e projektligjit për spektaklin e gjallë.

Ndonëse ende nuk është e qartë se ku duan të dalin aktorët me kërkesat e tyre përsëri përshkallëzimi i protestës ka për të bllokuar edhe atë pak jetë artistike që bëhet në Tiranë./tvklan.al

Gazetar : Altin Hazizaj






Të ngjashme