Protesta të dhunshme pas shkarkimit të presidentes
Votimi në Senatin Brazilian për shkarkimin e presidentes Dilma Rousseff, nxiti protesta të shumta në disa nga qytetet kryesore në vend.
Në Sao Paolo mbështetësit e ish-presidentes dolën në rrugët e qytetit dhe u përplasën me forcat e rendit të cilët përdorën gaz lotsjellës dhe granata shurdhuese për shpërndarjen e turmës.
Protestuesit akuzuan Senatin se nuk ka shprehur vullnetin e popullit. Ish-presidentja tha pas shkarkimit se nuk do të dorëzohet dhe se do ta luftojë këtë vendim.
Nga ana tjetër pati edhe nga ata që dolën të festonin shkarkimin e presidentes Rousseff, të cilin e prisnin prej një kohe të gjatë.
Vendimi i Senatit i jep fund pushtetit 13 vjeçar të Partisë së Punëtorëve të Dilma Rousseff. Vendin e saj e zuri presidenti në detyrë, Michel Temer, i cili u betua në parlament menjëherë pas shkarkimit të Rousseff.
Dilma Rousseff u pezullua në muajin maj, pas votës së parë të Senatit. Ajo akuzohet se ka mashtruar me fondet publike dhe ka manipuluar buxhetin, me qëllim rizgjedhjen si presidente në vitin 2014, duke fshehur rritjen e deficitit. Ajo erdhi në pushtet në vitin 2011 dhe është presidentja e parë femër e Brazilit. /TV KLAN