Protestat e dhunshme, Trump: ANTIFA do të shpallet organizatë terroriste
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta shpallin grupin antifashist “ANTIFA” një organizatë terroriste. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti Donald Trump në një postim në Twitter.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzon këtë grupim si shkaktar për trazirat e dhunshme në qytetet kryesore amerikane pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd. Protestat për vdekjen e tij, që ndërroi jetë gjatë arrestimit nga policia, u shndërruan në dhunë dhe shkatërrim.
Trump i ka konsideruar anarkistët e udhëhequr nga ANTIFA dhe anarkistët e majtë radikalë si përgjegjës për aktet e dhunshme.
Ndërsa Guvernatori demokrat i Minnesota tha të shtunën se prapa dhunës qëndrojnë kartelet e drogës, ndikime të jashtme dhe supremacistët e bardhë.
ANTIFA është shkurtimi i emërtesës lëvizja antifashiste. Ky grupim është një lëvizje në SHBA që kundërshton neo-nazistët, fashistët, racizmin dhe supremacistët e bardhë. /tvklan.al