Protestat e përgjakshme në Iran
Komuniteti Ndërkombëtar ka reaguar ashpër ndaj shtypjes me dhunë që Teherani po u bën protestave anti-qeveritare, duke shkaktuar vdekjen e 20 protestuesve brenda 7 ditëve.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley i bëri thirrje këtij organizmi të mbajë qëndrim të ashpër ndaj Teheranit. Një ndër opsionet që propozon Uashingtoni janë sanksionet e ashpra ndaj regjimit të Ajatollahëve. Haley tha se populli iranian kërkon liri, një e drejtë themelore që garantohet nga konventat ndërkombëtare.
Ndërsa përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të unionit Federika Mogerini tha përmes një komunikate për shtyp se humbja e jetëve njerëzore është e parpanueshme. Brukseli i bën thirrje Teheranit të garantojë lirinë e shprehjes.
Protestat në Iran janë përhapur tashmë në të gjithë vendin, përfshirë edhe kryeqytetin Teheran. Analistët thonë se protestat nuk shtrihen tanimë vetëm në rafshin ekonomik, kundër inflacionit dhe papunësisë së lartë dhe korrupsionit. Manifestuesit kërkojnë rrëzimin e regjimit të Ajatollahëve, që sipas tyre le popullin të vuajë teksa shpenzon energji dhe para për t’u marrë me konflikte jashtë vendit, siç është rasti i Palestinës.
Tv Klan