Protestat në Bjellorusi, Putini pret Lukashenkon në Rusi


Protestat në Bjellorusi, Putini pret Lukashenkon në Rusi

10:58 14/09/2020

Që prej muajit të kaluar, në Bjellorusi kanë shpërthyer protesta të shumta pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në të cilat Alexander Lukashenko doli fitues me rreth 80% të votave.

Gjatë protestës së fundit u bë e ditur se janë arrestuar rreth 400 persona dhe menjëherë pas kësaj, Presidenti i Bjellorusisë, do të shkojë në Rusi për bisedime me Vladimir Putinin.

Putini e njeh Lukashenkon si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë dhe thotë se ai ka forca të gatshme për të ndërhyrë nëse protestat dalin jashtë kontrollit.

Ky do të jetë takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga shpërthimi i protestave dhe ekzistojnë spekulime se Putini dëshiron lidhje më të ngushta në këmbim të mbështetjes së vazhdueshme për Lukashenkon.

Bisedimet do të zhvillohen në resortin Sochi në Detin e Zi, ndërsa një stërvitje e përbashkët ushtarake do të fillojë pranë qytetit perëndimor Brest të Bjellorusisë.

Lukashenko ka qenë në pushtet për 26 vjet dhe akuzohet nga opozita për manipulim të zgjedhjeve. Ai vazhdon të këmbëngulë se ai fitoi me të drejtë 80% të votave dhe i ka cilësuar protestat si anti-ruse dhe të mbështetura nga Perëndimi./tvklan.al






Të ngjashme