Protokolli i hyrjes dhe daljes nga shkolla
Brenda oborrit të shkollës vetëm nxënës dhe mësues
Hyrja dhe dalja e nxënësve nga shkolla do të bëhen vetëm duke respektuar rregullat e distancimit fizik. Ministrja Besa Shahini ka publikuar një video sensibilizuese mbi mënyrën e hyrjes dhe daljes në ambientet e shkollës.
“Hyrja dhe dalja nga shkolla, vetëm sipas rregullave të distancimit social e fizik, të përcaktuara qartë nga Instituti i Shëndetit Publik”, shkruan Shahini.
Nxënësit do të paraqiten në shkollë duke respektuar me përpikëri orarin e komunikuar nga mësuesi kujdestar i tyre. Ndërkohë, gjatë momentit të hyrjes në shkollë, nxënësit do të vendosen në radhë një nga një, me largësi 2 metra, teksa personi përgjegjës i stafit të shkollës do të realizojë matjen e temperaturës më termometër digjital, do të sprucojë duart me alkool ose dezinfektantë.
Sipas ministres edhe dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave të distancimit social dhe fizik, nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë dhe punonjësve të tjerë të shkollës.
Ndërkohë që ka nisur shpërndarja e librave falas me përfitues e kategorive të veçanta, si dhe nxënësit deri në klasën e 7-të që do kenë tekstet falas në përdorim. Në total janë mbi 250 mijë nxënës në të gjithë vendin.
Klan Plus