PS arrin kompromisin për ndryshimet në KQZ – (20 Dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Në Partinë Socialiste është arritur kompromisi për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Qendror Zgjedhor, duke iu rikujtuar komisionerëve dorëheqjet në të kundërt, ata do të largohen me ndryshimet e kodit elektoral. Përsa i përket shpërbërjes, së plotë të këtij komisioni ka mendime të ndryshme brenda kampit socialist.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Në rastin kur vendimi civil i pranimit të përgjegjësive, për përmirësime të mëtejshme përmes dorëheqjes dhe ripërfshirjes në prokurim, nuk do funksionojë, ne do të bëjmë me qetësinë e mazhorancës, mendimet e duhura të kodit dhe do të zgjidhim dhe çështjen e KQZ, me anë të plotësimit të kritereve standarde. Riorganizimi i KQZ, sipas kritereve precize, do ta kthejë atë në një institucion përfundimisht funksional me autoritet ligjor dhe të pakontestuar, për të menaxhuar në mënyrë të pavarur gjithë procesin dhe piramidën elektorale”.
Pandeli Majko:- “Unë jam për riformulimin e plotë të KQZ. Sepse ky komision aktualisht nga mënyra se si është ndërtuar, gjysma e tij është ndërtuar para miratimit të kodit elektoral dhe gjysma tjetër është ndërtuar me një lloj marrëveshje politike”.
Kastriot Islami:- “Unë jam kundër dënimit në bllok, gjykimit në bllok, apo heqjes në bllok, sepse kjo do të thotë shkatërrim i institucioneve. Në qoftë se ka argumente për secili veç e veç, ata të analizohen dhe të mbahet qëndrimi konform të gjithë rregullave”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame