PS dhe kryetari Nano përcaktojnë kalendarin e fushatës socialiste – (30 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Nga veriu në jugun e Shqipërisë, kryesocialisti Nano dhe kryeministri Meta do të udhëheqin gjatë muajit Shtator fushatën socialiste. Më 2 Shtator në Shkodër, Fatos Nano do të marrë pjesë në mitingun e prezantimit të kandidates të kryetares së bashkisë të këtij qyteti, Esmeralda Uruçi. Sipas kalendarit të hartuar nga selia rozë në gjashtë ditët e para të Shtatorit, anëtarët e kryesisë dhe ministrat socialistë, do të prezantojnë kandidatët për kryetar të komunave dhe bashkive.
Pas hapjes zyrtare të fushatës më 1 Shtator në Tiranë, më 2 Shtator kryetari Nano do të jetë i pranishëm në mitingjet elektorale të Lezhës dhe Shkodrës. Më 3 Shtator i vjen radha Korçës, ndërsa një ditë më vonë Elbasanit dhe Durrësit. Më 5 Shtator Nano do të udhëtojë drejt Kukësit dhe Peshkopisë, ndërsa më 6 Shtator mbyllet faza e parë e fushatës me Beratin, Fierin dhe Vlorën.
Pas miratimit të kalendarit të krerëve socialistë gjatë fushatës, kryesia socialiste i ka paralajmëruar të gjithë kandidatët e pavarur për pushtetar lokal, anëtar të PS, me përjashtim nga partia nëse ata nuk tërhiqen nga kandidimi. Kryesia socialiste përcaktoi stomatologun Adhurim Cara për kryetar të bashkisë së Kavajës dhe Bajram Krashin për bashkinë e Peshkopisë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame