Miratohen në parim ndryshimet kushtetuese të opozitës parlamentare
Në Kuvend kalon për votim edhe marrëveshja e 5 Qershorit
Nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës ka marrë në parim dakordësinë e mazhorancës gjatë mbledhjes së përbashkët online të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit.
Në emër të socialistëve, relatorja Klotilda Bushka e cilësoi legjitim propozimin e sjellë nga opozita për ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave.
“Në emër të PS ne e mbështesim nismën, nisma është legjitime, vjen në përputhje me standardet ndërkombëtare”.
Por deputeti Adriatik Alimadhi, hodhi dyshime për falsifikim të firmave, duke e cilësuar propozimin për heqjen e koalicioneve paraelektorale antikushtetues.
“Kam disa deputetë që nuk kanë firmosur dhe po ju them që nisma për koalicionet paraelektorale është e pambështetur në Kushtetutë”.
Kjo akuzë e ngritur prej tij solli edhe reagimin e kreut të grupit demokrat Murrizi.
“Verifikojini akuzat se deputetët janë ende gjallë”.
Kjo përplasje brenda radhëve të opozitës parlamentare vjen në një kohë kur ajo nuk është e unifikuar në qëndrimin e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Të enjten disa deputetë deklaruan votën e tyre “pro” marrëveshjes së 5 Qershorit.
Në parlament do të kalojnë për votim si marrëveshja e 5 Qershorit e këshillit politik, ashtu edhe nisma e deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës.
Tv Klan