PS mbledhje, shkarkimi i Koçit – (19 Maj 1999)


PS mbledhje, shkarkimi i Koçit – (19 Maj 1999)

20:59 19/05/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Petro Koçi zyrtarisht nuk është më Ministër i Rendit Publik. Presidenti Mejdani ka firmosur sot pasdite dekretin e shkarkimit të Koçit të paraqitur disa ditë më parë nga kryeministri Majko. Njëkohësisht me shkarkimin e Koçit, Mejdani ka firmosur propozimin e Majkos për emërimin e Spartak Poçit në postin e ministrit të Rendit Publik.

I gjithë procesi i lëvizjes së karrikes së kreut të rendit është paraprirë nga debate të ashpra në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, të zhvilluar për tre orë me dyer të mbyllura. Deputetët socialist janë ndarë në dy kampe kundërshtare pro dhe kundër Koçit.

Koçi ka përsëritur përpara grupit parlamentar socialist akuzat ndaj Majkos për ndërhyrjen në kompetencat e tij për emërimin e Hilë Lushakut e më pas Bajram Yzeirit në postin e zv/ministrit të Rendit pa pëlqimin e tij. Majko e ka arsyetuar shkarkimin e Koçit me thyerje të disiplinës të ekzekutivit. Peshën më të madhe të arsyetimit të shkarkimit të Koçit e ka mbajtur mbi supe zv/kryeministri Meta.

Ndërkohë që ish-kryesocialisti Nano dhe përkrahësit e tij kanë dalë hapur përkrah Koçit.

Fatos Nano:- “Unë do ti konsideroj debate të nevojshme që do ti bëjnë të gjithë më tokësor në emër të parimeve qiellore”.

Gazetarja:- Cilat ishin arsyet e Majkos  për shkarkimin e Koçit?

Fatos Nano:- “Majko foli për mos respektim, ndoshta thyerje të disiplinës së ekzekutivit nga Koçi dhe unë dhe mjaftë të tjerë folëm dhe vazhdojmë të flasim për thyerje dhe mos respektim të disiplinës politike nga cilido qoftë ky, ministër apo kryeministër”.

Në lidhje me emërimin e Spartak Poçit Ministër i Rendit, Nano tha:

Fatos Nano:- “Nuk besoj se gjykimi im do të lidhet me kush më ka mbetur mbrapa shpine apo ballas”.

Vetë ish-ministri i Rendit Koçi është munduar tju shmanget pyetjeve të gazetarëve. I mbetet parlamentit të vendos nëse do ta miratoj apo do ta hedh poshtë kandidaturën e Spartak Poçit në postin e ministrit të Rendit. Vetë Poçi ndonëse e ka pranuar këtë detyrë nuk ka thënë asnjë fjalë për gazetarët./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme