PS pranon ftesën e PD për tryezën politike – (9 Shkurt 2001)


PS pranon ftesën e PD për tryezën politike – (9 Shkurt 2001)

10:16 09/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Partia Socialiste ka pranuar dje ftesën e Partisë Demokratike, për t’u ulur në tryezën e bisedimeve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. Opozita e ka justifikuar këtë iniciativë me qëllimin e arritjes së konsensusit për problemet e mbetura pezull në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme, ku përfshihen çështjet e listës së zgjedhësve, kodit elektoral dhe KQZ-së.

Partia Demokratike, reagoi menjëherë dje, kur burimet e saj deklaruan se tryeza nuk do të mblidhet të martën e javës së ardhshme, por nesër. Në këtë mënyrë ka shumë të ngjarë, që partitë parlamentare të bien nesër dakord, që seanca plenare e së hënës të shtyhet. Ky ndryshim pozicionesh sidomos nga socialistët, pasoi vizitën në Shqipëri të drejtorit të ODHIR-it, Gerhard Shtudman.

Gjatë takimeve në Tiranë, Shtudman u shpreh, se ishte i zhgënjyer me nivelin e përgatitjeve të deritanishme për zgjedhjet e ardhshme. Megjithëse ky hap i socialistëve duket shtensionues, fakti që partitë pritet të përfaqësohen me sekretarët dhe jo me kryetarët, tregon dhe për rëndësinë e kësaj tryeze./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora






Të ngjashme