PS, proces online për kandidatët për deputetë
Rama: Ministrat i kemi të mirë, por e mira s’ka fund
Për të hapur partinë për prurje të reja, jo nga mosha sesa nga kontributet partiake, PS ka nisur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet, i cili ashtu si ai për vlerësimin e të zgjedhurve aktual dhe ministrave, do të bëhet online.
“Do të kenë në dispozicion të gjithë një adresë online ku do të duhet të çojnë një video dhe do duhet të shprehin interesin dhe të japin arsyet pse besojnë që janë zgjedhja e duhur për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë”.
Këtë Edi Rama e shikon si një proces të vërtetë për të thithur profesionistët dhe bën krahasimin me procesin që u zhvillua nga demokratët.
“Po sikur në PS të bëheshin ato votimet që janë 60 votues në 400 veta. Të kishit marrë mbarë kutitë e votimit dhe të kishit votuar nga 46 herë në 32 kuti çfarë do të kishit bërë ju”?
Sot pranoi se e ka ndjekur konferencën e Lulzim Bashës, por përgjigje nuk ka për planin për 5 pika, por për formatin e bashkëbisedimit me gazetarët.
“Meqë ra fjala ishte një hata e madhe se nuk e kisha parë ndonjëherë atë sallën e konferencave si sallë dasmash nga këto dasmat që bëhen në autostradë”.
Edhe për inceneratorët dhe akuzat e Bashës përgjigjen nuk e dha në konferencën me gazetarët.
“Më ndiqni sot tek Fevziu në lidhje me çështjen e plehrave. Sot do t’ju ndriçoj me dokumente pse është i shqetësuar Luli dhe pse bërtet. E dua shumë, por ndonjë shpullë një herë në muaj kur e meriton duhet t’ia japësh se është kusht i dashurisë, kush të rre, të do”.
Ndryshimet në qeveri thotë se nuk është kushtëzuar nga mungesa e ligjit për Presidentin dhe meraku se mund të mos dekretoheshin nga Meta.
“Qeveria është në punë. Ministrat i kemi të mirë, por patjetër që e mira nuk ka fund”.
Për maskat dhe detyrimin për t’i mbajtur edhe në ambientet e jashtme foli sërish dhe tregoi për porosinë që i ka dhënë Policisë së Shtetit.
“Vëmendjen e vet ta ketë duke filluar nga parlamenti”.
Që e ka seriozisht me porosinë për të nisur monitorimin për mbajtjen e maskave nga deputetët Rama e dëshmoi dhe në konferencë.
Tv Klan