Pse nuk flet Dukesha Markle me të atin?
Meghan Markle deklaroi se nuk do të flasë më me të atin Thomas derisa ai të sillet më me respekt ndaj saj, si dhe të ndalë ofendimet në publik.
Dukesha e Sussec nuk ka folur me të atin që prej ditës së martesës së saj me Princ Harry, pasi dyshohet se ky i fundit ka qortuar Thomasin për shfaqjen e disa fotografive të rreme. Që prej asaj dite 74-vjeçari ka dhënë një sërë intervistash, nëpërmjet të cilave pretendonte se e bija do të dëshironte që ai të kishte vdekur. Ai gjithashtu tregoi se e kanë ndaluar të hyjë në Pallatin Kensigton, si dhe se nuk ka asnjë mënyrë për të kontaktuar me vajzën e tij të vogël. Por një mik i ngushtë i Dukeshës tha për Daily Mail se Thomas Markle mund të kontaktojë me të bijën nëpërmjet nënës së saj, Doria Ragland. Çifti Markle u divorcua kur Meghan ishte vetëm 6 vjeç, por ka mbetur në kontakt dhe pak para dasmës mbretërore në muajin Maj Thomas është parë në shtëpinë e ish-bashkëshortes duke i dhënë lule për Ditën e Nënës. Burimi i Daily Mail thotë se e vetmja arsye që Meghan Markle nuk flet me të atin është sjellja e tij."Thomas po flet me shtypin më shumë sesa ka folur me të bijën. Nëse ai do të donte të fliste me të mund t'i dërgonte një letër nëpërmjet të ëmës",
u shpreh ai. Ata kanë një histori të gjatë përçarjesh, por Thomas Markle pretendon se gjithçka ka nisur kur Dukesha e Sussex i ka kërkuar të mos ketë më kontakte me gjysmë-motrën e saj. Gjatë intervistës së tij të fundit, 74-vjeçari u ankua sërish që nuk mund të kontaktojë me vajzën e tij, duke pretenduar se i ka dërguar madje edhe dy letra urimi për datëlindje, si dhe pranoi se ka gënjyer Princ Harryn në lidhje me skandalin e fotografive të paparacit./tvklan.al