Publikohen të tjera dëshmi të Tire Alldervishit
Pacientja e ndjerë i lutej sanitares për bukë dhe ujë
Emisioni Stop publikoi të tjera detaje të rënda nga historia e sanitares Tire Alldervishi të spitalit Covid 2 që i mori 8 milionë Lekë të vjetra vajzës së pacientes që vdiq nga koronavirusi, me qëllim që t’i shërbente. Stop publikon mesazhet dëshpëruese që pacientja e ndjerë i dërgonte Alldërvishit, ku i lutej për t’i dhënë ushqim.
“Të hënksha m****, hajde 1 sekondë”.
“O Tire, hajde të hënksha m****. Ku je? Hajde”.
“A e takove Anin”.
Në 12 Dhjetor, në orën 09:30 të mëngjesit, pacientja që vuante edhe nga diabeti, ende nuk kishte ngrënë mëngjes dhe i lutej Tires sikur t’i kishte shpirtin në dorë.
“O Tire, po më dridhet trupi për bukë. Po më bie diabeti, hajde shpejtë”.
“Të thashë më jep çik bukë, më ike”.
Më 13 Dhjetor në drekë, sërish lutje për vaktin e radhës.
“Kur do të ha bukë. S’ma bërë insulinën, të lutem hajde pak. O Tire hajde pak të lutem”.
Pesë ditë më pas e ndjera i drejtohej sërish asaj që e paguante për t’i dhënë një copë bukë.
“Pse më tradhtove? Jam keq. Më kthe përgjigje”.
“Mirëmëngjes teze. Jam në shtëpi, jo në punë”.
“Të du shumë, hajde pak. Hajde më jep pak ujë. A je në punë? Hajde më vrit me duart tuaja dhe ik”.
Tire Aldervishi ndodhet në arrest me burg nga Gjykata e Apelit e akuzuar për shpërdorim detyre.
Tv Klan