Punimet në Sheshin Skënderbej, bllokohet një tjetër aks
Punimet në Sheshin Skënderbej do të çojnë në bllokimin e një tjetri aksi rrugor në qendër të kryeqytetit.
Nga e hëna asnjë automjet nuk do të mund të kaloj në segmentin nga Muzeu Historik Kombëtar në drejtim të Ministrisë së Energjisë, duke bllokuar përfundimisht aksesin për automjetet në qendër.
Nëse ndodheni me automjet përpara 15 katëshit apo vini nga Bulevardi Zogu i Parë për të dalë në Bulevardin Dëshmoret e Kombit, duhet të kaloni para Muzeut Historik Kombëtar në drejtim të rrugës së Durrësit për tu kthyer pas Bankës së Shqipërisë, përpara Partisë Socialiste dhe më tej në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Ky është aksi i dytë rrugorë që mbyllet nga bashkia për të zhvilluar fazën e parë të projektit për “Rikualifikimin Urban të Sheshit Skënderbej”
Pak ditë më parë ndalimi i qarkullimit të automjeteve përpara Teatrit të Operas dhe Baletit solli trafik të rënduar në kryeqytet, pasi bllokimi i këtyre akseve bëhet në një kohë që edhe Unaza e Vogël vijon të jetë e mbyllur për shkak të mospërfundimit të punimeve në segmentin pas Hotel Tirana./ TV KLAN