“Armëpushim” 90 ditor në luftën tregtare
Washingtoni dhe Pekini ndalin përkohësisht luftën tregtare. Donald Trump dhe Xi Jinping ranë dakord të pezullojnë për 90 ditë vendosjen e tarifave të reja doganore për prodhimet nga të dy vendet. Qëllimi është të hapin një shteg të ri për bisedime për arritjen e një marrëveshjeje tregtare.
Ai që mund të quhet “armëpushim” në luftën tregtare u arrit gjatë një darke mes dy presidentëve gjatë samitit të G20-ës në Buenos Aires.
“Do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Do të diskutojmë për tregtinë dhe në përfundim do të arrijmë një marrëveshje që është në të mirë të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”
, tha Presidenti Trump.
“Vetëm përmes bashkëpunimit mes nesh mund t’i shërbejmë interesit botëror për paqe dhe prosperitet
“, u shpreh Presidenti kinez.
Me këtë marrëveshje, Washingtoni ndalon hyrjen në fuqi të tarifave shtesë të parashikuara për në 1 Janar. Prej Korrikut, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa për mallrat kineze që prekin një vlerë totale 250 miliardë Dollarë. Ndërsa Kina është kundërpërgjigjur me tarifa që arrijnë vlerën e 110 miliardë Dollarëve. Lufta tregtare nisi pasi Trump tha se marrëveshjet e mëparshme tregtare sillnin më pak përfitime për Shtetet e Bashkuara. Të premten, Trump nënshkroi pakte tregtare me Meksikën e Kanadanë.
Tv Klan