Pushohen hetimet për ekstradimin e Nezar Seitit


Pushohen hetimet për ekstradimin e Nezar Seitit

15:49 24/08/2018

Prokuroria e Durrësit ka pushuar hetimet për procedurën e ndjekur nga institucionet shqiptare në rastin e ekstradimit të Nezar Seitit në Itali. Sipas akuzës së qytetit bregdetar institucionet nuk kanë kryer vepër penale, por vetëm shkelje administrative. Për këtë arsye hetuesit i kanë kërkuar gjykatës pushimin e hetimit penal. Vendimi është marrë pak kohë më parë, ndërsa është bërë publik dy ditë pasi një nga njerëzit kryesorë të grupit të Habilajve u lirua nga Gjykata e Katanias, në Itali.

“Financieri i Habiljave” do të qëndrojë në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve. Ekstradimi i Seitit në Itali prodhoi debat të madh politik në Janar të këtij viti kur u largua, pasi opozita akuzonte mazhorancën se e ekstradoi për të mbyllur dosjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është gjithashtu nën hetim në Shqipëri, si pjesë e grupit të narkotrafikut, të drejtuar nga vëllezërit Moisi e Florian Habilaj.

Nezar Seiti u arrestua në Tetor të vitit të kaluar në Babicë të Vlorës gjatë një aksioni antidroge, të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku u sekuestruan 4 ton kanabis. Por pas 3 muaj qëndrimi në qeli në Shqipëri u ekstradua drejt Italisë në Janar të vitit 2018. Ndërsa tani është e paqartë se çfarë ka ndryshuar në pozitën e tij që gjykata e Katanias vendosi t’i ndryshojë masën e sigurisë.

Tv Klan






Të ngjashme