Pushuesit kthehen nga plazhet, fluks drejt Tiranës dhe Morinës
Ka filluar kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar, por pa krijuar radhë e vonesa, fluksi është i rrjedhshëm.
Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve me uniformë në rrugë, por edhe të shërbimeve civile në patrullim, si dhe po monitoron me 4 dronë parakalimet e gabuara dhe me 6 radarë shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Deri në këto momente në akset Lezhë-Thumanë, Himarë-Vlorë-Fier-Durrës-Tiranë dhe Milot-Morinë, Gjiri i Lalzit-Maminas, Rrogozhinë-Elbasan, Korçë-Elbasan-Tiranë, janë evidentuar 45 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 222 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.
Pas alkool-testeve ka rezultuar se 18 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me masa alkooli që varionin nga 0.27 mg/l deri në 0.41 mg/l, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit.
Po gjatë pasdites e deri në këto momente janë vendosur 137 masa për përdorim të celularit, 87 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 21 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse. /tvklan.al