Putin ëndërron përçarjen e Europës


Putin ëndërron përçarjen e Europës

23:45 03/09/2018

Për presidentin francez Emanuel Makron, ëndrra e vetme e Vladimir Putinit është ta shohë Europën të çmontohet. Shefi i Elizesë foli në një intervistë për televizionin shtetëror suedez SVT, ku u përfshi në debatet politike para zgjedhjeve të përgjithshme të kësaj të diele.

“Unë e respektoj Vladimir Putinin dhe jam një prej liderëve që thotë se kemi nevojë të ndërtojmë një arkitekturë të re mbrojtjeje dhe sigurie me Rusinë. Kemi nevojë t’a diskutojmë këtë me Rusinë. Por ëndrra e Putinit është të çmontojë Bashkimin Europian”.

Komentet Makron i bëri teksa sondazhet parazgjedhore në Suedi paralajmërojnë fitoren e Demokratëve Suedezë, një parti me orientim politik të djathtë radikal. Kur u pyet në një intervistë, kreu i kësaj partie Jimie Akesson tha se e kishte të vështirë të zgjidhte mes Putinit dhe Makronit, pasi të dy liderët i konsideronte diktatorë.

Pas kësaj deklarate Makron tha se ishte e qartë Akesson nuk orientohet drejt frymës liberale europiane. Pas deklaratës së Makronit për Putinin reagoi edhe zyra e shtypit e presidentit rus, që tha se Rusisë i intereson vetëm një Europë e qëndrueshme dhe se Moska nuk ka kontribuar në asnjë moment në ngrirjen e marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

Udhëheqësit liberalë të vendeve europiane akuzojnë Rusinë se po mbështet forcimin e partive ekstremiste në Europë me qëllim përçarjen e unionit.

Tv Klan






Të ngjashme