Pyjet dhe ajri i pastër, dy gjërat kryesore që i mungojnë Tiranës (24 Tetor 2000)


Pyjet dhe ajri i pastër, dy gjërat kryesore që i mungojnë Tiranës (24 Tetor 2000)

09:06 24/10/2000

600 mijë banorë të Tiranës çdo ditë thithin këtë ajër. Përveç oksigjenit dhe azotit, ajri përmban dhe shumë më tepër gaz karbonik nga sa lejohet dhe mbi të gjitha blozë të shkaktuar nga makinat dhe nga veprimtaria industriale. Por, armiku më i madh i shëndetit tonë është pluhur i rrugës. Ai futet në mushkëri dhe shkakton probleme të rënda, madje dhe vdekjeprurëse.

Nga veprimtaria dhe ndotja, si dhe nga klima e kryeqytetit, ajri ngrohet. Kjo nxehtësi nxit zhvillimin e shpejtë dhe shumimin e mikrobeve. Mendoni se çfarë pasojash do të kishte në jetën tonë nëse ky ajër nuk do të pastrohej përditë. Mushkëria e kryeqytetit shqiptar janë këto pemë. 3300 hektarë pyll në Parkun Kombëtar të Dajtit dhe 400 hektarë pyll tek kodrat e liqenit artificial.

Kur ajri i molepsur i kryeqytetit ngjitet lart pasi është ngrohur, vendin e tij e zë ajri i freskët dhe i pastër që zbret nga pyjet, por edhe ky ajër është në pakësim e sipër. Drurët në parqet kombëtare kanë filluar të vjetërohen, të kalben dhe të bien. Tek liqeni artificial janë prerë dhjetëra pisha dhe bredha dhe janë zëvendësuar me ndërtime.

Gjithashtu dhe gjelbërimi nëpër rrugë është pakësuar. Dhjetori është quajtur muaji i pyjeve. Dikur mbilleshin me aksion drurë të ndryshëm. Ky muaj vazhdon të mbetet në kalendar si i tillë, por pyllëzimet nuk kanë qenë dhe aq masive vitet e fundit. Nëse dikur pyllëzimi ishte çeshtje estetike, sot bëhet jetike për aq pak gjelbërim për frymë sa na ka mbetur./tvklan.al






Të ngjashme