Qëllon me armë në ajër pas sherrit me vëllain, arrestohet 36-vjeçari
Policia ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes dy vëllezërve në fshatin Troshan të Lezhës. Në pranga ka rënë 36-vjeçari me iniciale E.P., i cili kanosi me armë vëllain e tij K.P. 30 vjeç.
36-vjeçari qëlloi me armë në ajër në oborrin e banesës së tij pas sherrit që pati me vëllain për motive pronësie. Autori, në momentin kur pa policinë që po shkonte drejt shtëpisë së tij, hodhi armën dhe u largua nga banesa.
Forcat policore, që u vunë në ndjekje të të dyshuarit, e arrestuan pas disa orësh në malin e fshatit. Uniformat blu sekuestruan edhe automatikun e tij dhe 354 fishekë. 36-vjeçari akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. /tvklan.al