Qendra e re, gra dhe fëmijë shqiptarë bashkë me sirianët
Autoritetet në Ersekë kanë vendosur t’i lënë bashkë në një godinë
Në këtë qendër me kapacitet prej 30 personash, do të qëndrojnë bashkë emigrantë të cilëve u shqyrtohen kërkesat për azil, ashtu edhe familje apo individë me probleme sociale.
Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj thotë se kjo qendër do të jetë ndryshe nga ato ekzistuese.
“Pjesa e emigracionit të parregullt është një nga sfidat më të mëdha që ne po ballafaqohemi, si Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Për shumë arsye sot Shqipëria është një urë kalimi për ta, për të kaluar në vendet e tjera të BE”.
Por cilët do të jenë kategoritë që do të bashkëjetojnë me emigrantët sirianë në të njëjtat ambiente?
“Kjo qendër këtu është e veçantë, sepse do të trajtohen grupet vulnerabël, pra grupet e njerëzve të cilët nevojën e kanë njësoj si emigrantët e tjerë që hyjnë por le të themi që janë grupe që duhet të trajtohen në mënyrë më të veçantë pasi bëhet fjalë për prindër, fëmijë, gra”.
315 persona janë ndaluar nga forcat kufitare dhe FRONTEX gjatë periudhës Janar – Shkurt 2020 vetëm në kufirin e gjelbër në Kakavije, pjesa më e madhe nga Pakistani dhe Siria.
Tv Klan