Qeveria franceze tërhiqet pas protestave
Kryeministri: Gati të ndryshojmë reformën e pensioneve
Pas 5 javë protestash dhe grevash që kishin mbërthyer të gjithë vendin, qeveria franceze është tërhequr nga propozimi i saj për reformën e pensioneve. Në një letër drejtuar sindikatave, Kryeministri Philip thotë se është gati të tërhiqet nga rritja e moshës për pensionin e plotë, por duhen plotësuar disa kushte.
“Kompromisi që po ju ofroj, më duket mënyra më e mirë për një reformë paqësore në sistemin tonë të pensioneve”, thotë Kryeministri Philip.
Qeveria bëri këto lëshime pas bisedimeve me sindikatat të cilat dështuan në takimin e së premtes. Menjëherë pas vendimit të qeverisë, sindikatat e mirëpritën tërheqjen.
Lëshimet vijnë një një kohë kur qindra mijëra demonstrues marshuan në pjesën lindore të Parisit ndaj kësaj reforme, që synon të zëvendësojë skemat e pensioneve specifike në Francë me një skemë të vetme të bazuar në sistem pikësh.
Protestat u bënë të dhunshme e me përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, ndërsa grupe protestuesish godisnin dritare dhe u vinin flakën tabelave e koshave të plehrave. Kjo është një nga krizat më të mëdha të Presidentit Macron me sindikatat që nga marrja e detyrës.
Tv Klan