Qeveria kalon buxhetin 2017, Ahmetaj: Në Mars e Prill rritje të pagave e pensioneve
Qeveria ka kaluar të premten draft ligjin për buxhetin 2017, për t’i hapur rrugë më pas diskutimeve në komisionet parlamentare. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se ky është buxheti i financimit të reformave dhe rritjes së pagave dhe pensioneve, uljes së borxhit dhe rritjes se investimeve.
Pensionistët do ta marrin që në Mars të vitit të ardhshëm pensionin me rritje, ndërsa qytetarët që preken nga rritja e pagave do ta përfitojnë atë në Prill.
Me buxhetin e vitit 2017 do të futen për herë të parë në listën e rimbursimit të barnave 600 mijë qytetarë.
Ministri Ahmetaj ka zbuluar edhe disa detaje se çfarë do të përmbajë paketa e re fiskale.
Vitin e ardhshëm ulet taksa e rentes minerare, nga 6% në 3%, priten lehtësi fiskale për fasonët dhe nuk do të ketë rritje të akcizës së cigareve.
Në paketën e re do të shtohet gama e makinave të ashtuquajtura ‘makina luksi’, që tatohen. Nga 7 milionë që është aktualisht, vitin e ardhshëm makinë luksi quhet edhe ajo me një vlerë prej 5 milionë dhe që është 3000 kubikëshe.
Pa dhënë detaje, qeveria lajmëron se vitin tjetër do të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm, për automjetet dhe se do të ketë një forcim të mbledhjes së taksës së pronës.
Përsa i përket premtimit për uljen e TVSH -së në turizëm, që aktualisht është 20 %, edhe në këtë paketë fiskale qeveria njofton se është e pamundur të merret një vendim i tillë.
Tv Klan