Jepet për shfrytëzim blloku naftëmbajtës i Dumresë
Italianët e “ENI” do të kërkojnë dhe prodhojnë naftë
Blloku i zonës naftëmbajtëse të Dumresë i është dhënë për shfrytëzim kompanisë italiane ENI, duke i dhënë fund historisë disa vjeçare të qeverisë shqiptare për gjetjen e një firme, e cila do të kërkojë dhe shfrytëzojë naftën në këtë fushë. Vetë Kryeministri Edi Rama e vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes me këtë kompani si një investim, i cili do të hapë qindra vende pune dhe miliona euro investime në ekonominë shqiptare.
Kjo është marrëveshja e dytë që Shqipëria firmos duke mbrojtur interesat e nëntokës shqiptare pasi përcakton që tatimi mbi fitimin të derdhet në buxhetin e shtetit që në shitjen e fuçisë së parë të naftës.
Kompania italiane ENI ka operuar në fillim të viteve 90’ në Shqipëri në dy blloqe në Detin Adriatik, por pa sukses në zbulimin e naftës e gazit, ndaj u largua në vitin 99’. Drejtori i kësaj shoqërie tha se shpresat për të zbuluar naftë në bllokun e Dumresë janë të mëdha.
Blloku i Dumresë ka një sipërfaqe 587 kilometra dhe ndodhet në qarkun e Elbasanit, 40 kilometra largësi të Tiranës. Kompania ENI ka një portofol të madh në fushën e prodhimit të naftës, ku vetëm për 9 mujorin e këtij viti vlera e operimeve të saj ishte 9.5 miliardë euro.
Në 2015-n ishte firma izraelite Navitas, që nisi negociatat për lidhjen e një marrëveshje hidrokarbure në këtë zonë, por rënia e çmimeve të naftës në tregjet globale bëri që të tërhiqej nga Shqipëria.
Tv Klan