Qeveria mban peng “Bedërin”, Bruçaj: Keqardhje nëse arsyeja janë “gylenistët”


Qeveria mban peng “Bedërin”, Bruçaj: Keqardhje nëse arsyeja janë “gylenistët”

21:41 14/06/2020

Departamenti Amerikan i Shtetit mesin e kësaj jave publikoi raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet ku përfshihet edhe Shqipëria. Mes arritjeve dhe lirisë së besimit në vendin tonë, si shqetësim shikohet moskthimi i pronave komuniteteve fetare në vend.

Si problem në raport ngrihet edhe çështja e mosdhënies së lejes nga ana e qeverisë për Komunitetin Mysliman që të ndërtojë kampusin universitar Beder. Edhe pse shteti i ka dhënë KMSH në 2013, një tokë me sipërfaqe 9600 metra katrorë në Sauk për të ndërtuar kampusin.

Për ish-kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, aktualisht Presidenti i Univeristeti Beder, është e pamundur të kuptohet përse shteti nuk u jep lejen për të ndërtuar kampusin. Gjatë një interviste për Klan Plus, ai sqaron se ky unviersitet ka një vlerë shumë të madhe pasi arsimon drejtuesit e rinj të xhamive, imamët e ardhshëm, në mënyrë që të mos arsimohen jashtë dhe të mos jenë pre e rrymave ekstreme.

“Dosja është gati është në KKT prej vitit 2018, nuk e dimë se çfarë problem ka”.

I pyetur nëse për këtë vonesë mund të jetë shkak përplasja mes qeverisë turke dhe fondacionit Gylen, Bruçaj ka dhënë këtë përgjigje: “Do më vinte shumë keq që shteti im, qeveria  e shtetit tim të ndikohej nga një vend tjetër. Dhe merr vendime për të plotësuar qejfet e dikujt tjetër. Unë besoj se Shqipëria është një shtet sovran dhe nuk bënë veprime të tilla”.

Në raport përmendet fakti se më 2 Mars 2019, Komuniteti Mysliman zgjodhi Bujar Spahiun kryetar të ri me mandat 5-vjeçar, në një konkurs që nxiti komente në media në lidhje me kandidatët, pretendimet për ndikime të huaja dhe shqetësime për procesin.

Por i pyetur për lidhjen me lëvizjen Gylen dhe përse konsiderohet si një prej drejtuesve të kësaj lëvizje në Shqipëri, Burçaj i ka quajtur legjenda urbane.

Klan Plus






Të ngjashme