Qeveria miraton ligjin në mbrojtje të policisë – (27 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ligji i njohur italian, për mbrojtjen e veçantë të personave dhe policëve që iu kërcënohet jeta, familja dhe prona, do të zbatohet nga sot e tutje edhe në Shqipëri. Kjo masë është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, për shkak se punonjësit e Ministrisë së Rendit, janë bërë shpesh herë objekt i sulmit të kriminelëve.
Rasti më i fundit është ai i Vlorës, ku u vra ish-shefi i krimeve të Beratit Ilir Ngresi. Nga ky vendim, pritet të përfitojë, mbrojtje të veçantë nga shteti dhe ajo kategori që për shkak të të dhënave që i japin policisë, për ngjarje ose autor veprash penale. Prioritet ligji i jep atyre qytetarëve që bashkëpunojnë me organet e rendit, sidomos kur është fjala për një kategori personash shumë të rrezikshëm, e që kanë kryer vepra të rënda penale.
Për këtë qëllim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, do të krijohet një sektor i veçantë, i cili do të ndjek dhe realizojë në praktik këtë mbrojtje. Gjithashtu do të ngrihet dhe do të funksionojë komisioni përkatës i vlerësimit të kërkesave, për mbrojtjen nga kërcënimet./tvklan.al