Shpallen 18 zonat e reja të rindërtimit
Ahmetaj: Modelet e shtëpive, brenda 6 Shkurtit
Dy muaj pas tërmetit të 26 Nëntorit, Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte 18 zonat ku do të rindërtohen lagjet e reja. Gjysma e tyre do të jetë e Tiranë.
“5 Maji” është një nga zonat e përzgjedhura për ndërtimet e reja ku pritet të zhvendosën familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Veç saj janë edhe 8 zona të tjera në Tiranë, pjesë e këtij plani për zhvillim”.
Lagjet e tjera të kryeqytetit do të ndërtohen në zonën e Autotraktorëve, Kombinat, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Zonën administrative Baldushk, Njësinë Administrative Ndroq, në Vaqar dhe në Njësinë Administrative Zall Herr. Zonat e tjera janë në Shijak, Laç, Krujë, Thumanë, Bubq, Fushë-Krujë, Durrës, Vorë, Kavajë.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se brenda 6 Shkurtit do të jenë gati edhe modelet e shtëpive të reja.
“Enti Kombëtar i Banesave ka hapur garën për modelet e shtëpive. Në datën 6 Shkurt do të kemi modelet të cilat njësitë zbatuese, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe Bashkia e Tiranës do të fillojnë një proces i hapur, ligjor zbatimi, pra që nga prokurimi dhe deri tek vendosja e shtëpisë. Do të ketë modele të reja, bashkëkohore, antisizmike”.
Ahmetaj kërkoi nga qytetarët dhe njësitë vendore që të aplikojnë sa më parë në platformën online për të raportuar dëmet nga tërmeti.
Tv Klan