Qeveria shqiptare harton strategji strehimi për familjet e varfra – (30 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Qeveria shqiptare ka hartuar një strategji për strehimin, duke pasur parasysh vendosjen e kushteve për ndërtimin e banesave të përballueshme ekonomikisht nga familjet e varfra dhe nxitjen e ndërtimeve me kosto të ulët dhe cilësi të mirë. Në Shqipëri rezultojnë 200 mijë apartamente të privatizuara dhe 6 mijë familje të pastreha.
Këto të fundit janë familje që nuk përfituan nga privatizimi, të burgosurit politik dhe të pastrehët e firmave piramidale. Sipas kryeministrit Meta një nga arsyet kryesore që në fushën e strehimit është bërë shumë pak, ka qenë mungesa e strategjisë.
Kryeministri Ilir Meta:- “Në tërë këto vite është ecur pa kritere të përgjegjshme në procesin e urbanizimit, ku moszbatimi i rregullave, mosrespektimi i ligjeve dhe i institucioneve, kanë bërë që të lulëzojnë ndërtimet pa leje, të cilat kanë prishur urbanistikën e qyteteve tona, kanë krijuar dëme të mëdha në infrastrukturën urbane, gjë që jo vetëm ka çuar në kufizimin e trojeve të lira për të ndërtuar banesa, por edhe ka rritur së tepërmi çmimin e trojeve etj”.
Presim propozimet tuaja iu drejtua Meta specialistëve shqiptarë dhe të huaj për masat që duhet të marrë qeveria për të bërë të mundur realizimin e strategjisë së strehimit. Për mbështetjen e planit të veprimit do të ngrihet një strukturë e posaçme koordinimi dhe monitorimi./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego