Qeveria shqiptare, programi për varfërinë – (25 Qershor 2000)


Qeveria shqiptare, programi për varfërinë – (25 Qershor 2000)

20:11 25/06/2000

Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të reduktojë varfërinë në vend. Nëpërmjet një programi të hartuar nga Ministria e Financave, i cili ka marrë edhe miratimin e FMN-së dhe Bankës Botërore, pritet që në Janar të vitit 2001, të fillojë ndërhyrja për zbutjen e varfërisë. Kryesisht synohet rregullimi i zonave rurale të ndërtuara pa kriter, ku mungon krejtësisht infrastruktura, uji, kanalizimet etj.

Pra për një kategori njerëzish, që nuk janë të paktë në Shqipëri, qeveria ka premtuar t’ju krijojë kushte për një jetesë normale. Një gjë e tillë shihet me mosbesim të plotë nga opozita e veçanërisht nga PD. Jemi të kënaqur tha sekretari i përgjithshëm demokrat Ridvan Bode, që më në fund qeveritarët pranuan se ekziston varfëria edhe në Shqipëri.

Ridvan Bode:- “Qeveria u detyrua të pranojë publikisht gjendjen e mjeruar ekonomike të familjeve shqiptare, pasojë e papërgjegjshmërisë së saj, e politikave mbytëse ndaj biznesit, e korrupsionit dhe monopoleve të pushtetarëve aktualë, duke u bërë apel donatorëve amerikanë për një program për zbutjen e varfërisë. Qeveria heshti për shkaqet që zhytën në mjerim tre million shqiptarë”.

Kështu Partia Demokratike e shikon zbutjen e varfërisë vetëm me ndryshimin e qeverisë dhe ardhjen e saj në pushtet. Por ç’mendojnë vetë njerëzit? A besojnë ata se do të reduktohet varfëria në Shqipëri?

“Varfëria asnjëherë nuk do të zhduket, sepse sikur të jepnin të gjithë pasanikët, nuk do të kishte fukarenj. Nuk ka mundësi që kjo qeveri të heq varfërinë, këta po e thellojnë më tepër. Varferia në Shqipëri mund të zhduket vetëm po të hapen vende të reja pune”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego  






Të ngjashme