Qindra të shtruar në spital nga sëmundja misterioze
Të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa 227 janë shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje misterioze në Indi. Mësohet se pacientët kanë pasur simptoma të ndryshme nga të përzierat e deri tek gjendja e të fikëtit.
Zyrtarët janë duke investiguar shkakun e kësaj sëmundje, e cila ka mbërthyer në frikë qytetin Eluru gjatë fundjavës. Kjo sëmundje shfaqet në një kohë kur India po përballet fuqishëm me pandeminë e koronavirusit.
Shteti Andhra Pradesh, ku ndodhet edhe qyteti më i prekur nga sëmundja misterioze, është një ndër më të prekurat nga Covid. Atje regjistrohen më shumë se 800 mijë raste.
Megjithatë ekspertët mendojnë se nuk është Covid-19 arsyeja e hospitalizimeve gjatë fundjavës. Sipas Ministrit të Shëndetësisë pacientët kanë rezultuar të gjithë negativë me koronavirus.
“Ata që u ndjenë sëmurë, veçanërisht fëmijët, filluan të villnin pasi u ankuan për djegie sysh. Disave prej tyre u ranë të fikët”, njoftoi një mjek.
70 pacientë janë liruar nga spitali, ndërsa 157 vijojnë të marrin ende ndihmë mjekësore.
Ministri i Shëndetësisë tha se në zonë do të dërgohen ekipe të posaçme mjekësore për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Nga analizat e para të gjakut të pacientëve nuk bëhet fjalë për ndonjë infeksion viral. /tvklan.al