QSUT po përhap Covid-19
Mjekë e pacientë shkelin protokollet
“Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza vazhdon të jetë vatra kryesore e infeksionit të Covid-19. Prej disa ditësh kemi patur raste të personelit shëndetësor të infektuar në mjedise spitalore, po ashtu kemi patur edhe pacientë apo të afërm të tyre që virusin e kanë marrë në këto mjedise”.
Prej fillimit të epidemisë, rastet këtu kanë qenë sporadike. Por që prej 27 Majit, shërbimi i mjekësisë interne është kthyer në përhapës të infeksionit.
Vetëm një infermiere ka arritur të infektojë mbi 35 persona, mjekë, infermierë e pacientë.
Nga QSUT infeksioni është përhapur edhe në Lushnje, Mat e Gjirokastër.
Përhapja e infeksionit brenda mureve të QSUT çoi në mbylljen e shërbimit të mjekësisë interne, por kjo nuk e frenoi përhapjen e virusit tek pacientët të afërmit e tyre apo dhe vetë bluzat e bardha.
28 mjekë, infermierë apo punonjës në spital janë infektuar brenda javës së parë të Qershorit.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti tha se shkak i kësaj situate është hapja e QSUT për të gjithë pacientët dhe mos kontrolli i tyre. Izolimi i QSUT është propozimi i epidemiologut për të frenuar qarkullimin e virusit nga ambientet spitalore në popullatë dhe anasjelltas.
Ministria dhe mjekët e infektivit janë parë shpesh të bëjnë apel tek qytetarët që të respektojnë masat, por shpërthimi i infeksionit në spital dëshmon se protokollet janë shkelur edhe nga vetë ata që punojnë në vijën e parë të frontit apo të tjerët në mbështetje të tyre.
Tv Klan