Qyteti humb betejën me borën


Qyteti humb betejën me borën

14:31 01/02/2019

Stuhitë e fundit të dëborës ishin të tepërta për Saratov, aty ku njerëzit kërkuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi qyteti vijon të jetë i paralizuar prej rreth një jave e gjysmë, ndonëse të gjithë e dinë që në Rusi bie shumë dëborë.

Që prej 20 Janarit, Saratov, i cili ndodhet në lumin Volga është goditur nga disa stuhi dëbore, më të pazakontat në 30 vjet.

Qyteti me 900 mijë banorë, sipas mediave ruse nuk ishte i përgatitur për kaq shumë dëborë. Shumë prej rrugëve u bënë të pakalueshme dhe automjetet mbetën të bllokuara në trafik për ditë me radhë. Vetëm një prej 10 rrugëve të tramit është aktualisht funksionale, ndërsa pjesa tjetër e shërbimit të transportit publik vijon të jetë e bllokuar.

Moti i keq çoi gjithashtu në vonesën e shumë fluturimeve në aeroportin e Saratov, ndërsa trenat që udhëtonin nga Siberia drejt jugut të Rusisë mbetën të bllokuar në raste të shumta.

Banorët e zonës vërshuan në rrjetet sociale për t’u ankuar për faktin se u duhet të ecin për 10 kilometra në ditë për të shkuar në punë.

Autoritetet atje kanë nisur punën për zhbllokimin e disa prej rrugëve, megjithatë mbetet ende shumë për t’u bërë. Më shumë se 1150 borëpastruese po punojnë aktualisht nëpër rajonin e Saratov, për t’u ardhur sadopak në ndihmë banorëve.

Megjithatë autoritetet vendore thonë se heqja e dëborës nga qyteti me gjasë do të vijojë deri në pranverë. Për banorët shpresa e vetme mbetet që stuhitë e dëborës të pushojnë.

/tvklan.al






Të ngjashme