Qyteti i Elbasanit në errësirë të plotë – (29 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Qyteti i Elbasanit, që nga ora 5 e mëngjesit të ditës së sotme është krejtësisht pa energji elektrike. Një defekt i rëndë ka ndodhur në nënstacionin e fibrës, të filialit të KESH-it të qytetit. Pajisjet në sallën e komandimit, janë karbonizuar, ndërkohë që specialistët në filialin e KESH-it të Elbasanit, mundohen të mos e publikojnë lajmin. Përveçse mungon energjia në familje, kanë ngelur pa punë edhe ujësjellësi i qytetit.
Situata është rënduar së tepërmi, pasi nënstacioni i dëmtuar ka lënë pa energji edhe qendrën spitalore, maternitetin, policinë, furrat e bukës së qytetit, si dhe të gjitha institucionet e ndryshme shtetërore. Ndërkohë specialistë të KESH-it kanë mbërritur në nënstacion për të riparuar defektin që ka lënë pa drita dhe ujë të gjithë qytetin./tvklan.al