Qyteti i Gjirokastrës i mbuluar nga plehrat – (6 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Periferia e qytetit të gurtë është e mbushur me male të tëra plehrash. Vendi i quajtur Kodra e Shtufit, atje ku pritet të shtrihet zona e re urbane e qytetit të gurtë është shndërruar në një vend ku tashmë hidhen mbeturina. Kjo ka krijuar një sipërfaqe prej afro dy hektarësh të mbuluar me mbeturina. Pas vendit të quajtur kodra e teqesë, aty ku janë ngritur banesat e reja dhe vilat luksoze të këtyre dhjetë viteve të fundit, shihet tashmë një skenë ireale.
Qyteti i shpallur monument kulture, nuk ka ende një vend të caktuar për derdhjen e mbeturinave e jo më të pretendohet për një impiant për shkatërrimin dhe përpunimin e tyre. Pasi mbushën me plehra shtratin e lumit Drino, shoferët e makinave kanë filluar t’i hedhin plehrat ku të mundin. Megjithatë nuk është vetëm periferia e Gjirokastrës ajo që ofron pamje me masive të tëra plehrash. As rrugët, rrugicat e sokakët e saj nuk afrojnë një pamje më të mirë./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego