Siguria në “Qytetin Studenti” – (22 Shkurt 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Tre ditë pas vdekjes së studentes Kozeta Hyseni brenda territorit të “Qytetit Studenti” sot uniformat blu janë munduar të shtojnë masat e rendit dhe sigurimit. Në hyrje të qytetit policë të armatosur nuk lenë asnjë makinë të futet duke eleminuar hyrjen e të huajve brenda. Komisari i Tiranës Mit’hat Havari mendon se një shtim i forcave të rendit është i domosdoshëm. Por Havari ka deklaruar se deri në momentn që brenda qytetit do të ketë familje, pleq e fëmijë, rendi do të ketë probleme.
Sot studentët i kanë kërkuar drejtorit të policisë Havari që në çdo godinë të ketë një polic përveç rojes së zakonshme. Studentët gjithashtu kanë kërkuar ndriçim të plotë të ambjntit para godinave dhe të gjitha hyrje daljet e qytetit të mbikqyren. Vetë Havari është shprehur se shumë shpejt vrasësi i Kozetës do të kapet.
Vrasja makabre e 20-vjeçares Hyseni përveçse kanë sensibilizuar studentët dhe bashkëmoshatarët e saj ka shtuar më shumë frikën tek ta, e cila mund të shuhet vetëm me forcimin e rendit në “Qytetin Studenti” dhe largimin e familjeve që jetojnë aty aktualisht. 300 student banor të qytezës kanë vendosur që deri në kapjen e vrasësve të Kozetës të braktisin auditorët e fakulteteve./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj