Rakip Suli hyn në Bashkinë e Kamzës
Mziu la zyrën pas orarit zyrtar të punës
Bashkia e Kamzës, një bastion i djathtë i kryesuar për tre mandate radhazi nga demokratët, nga kjo e mërkurë do të drejtohet nga socialisti Rakip Suli.
Ai hyri në zyrë pas përfundimit të protestës së mbështetësve të opozitës të cilët u larguan me mbylljen e orarit zyrtar të punës. Dera e bashkisë u hap forcërisht nga përkrahës të kryebashkiakët të ri, të cilët shoqëruan me ovacione futjen e Sulit në bashki.
Më herët për shkak të protestës së mbështetësve të opozitës, konstituimi i Këshillit Bashkiak dhe betimi i kryebashkiakut të ri u bënë në shkollën “Ibrahim Rugova”.
Rakip Suli premtoi se me ngjitjen në karrigen e të parit të Kamzës, nuk do të ketë spastrime politike por do të fokusohet në projekte që i vijnë në përmirësim të jetesës së komunitetit.
Të martën demokratët bënë një kallëzim penal për prefekten e Tiranës, duke e cilësuar në shkelje të ligjit konstituimin e këshillit. Në kundërpërgjigje, Suzana Jahollari tha se kishte zbatuar ligjin.
Tv Klan