Rama: 123 kujdestarë, kuzhinierë e infermierë janë vetëizoluar në qendrat e kujdesit social


Rama: 123 kujdestarë, kuzhinierë e infermierë janë vetëizoluar në qendrat e kujdesit social

17:02 17/03/2020

Kreu i qeverisë Edi Rama ka njoftuar se po fillon të hyjë në funksion rrjeti i shërbimit social për ata që janë më në nevojë dhe për të ndihmuar me kryerjen e shërbimeve jashtë shtëpie pensionistët kryefamiljarë, të cilët s’i kanë fëmijët në të njëjtin qytet.

Po ashtu, në një postim në rrjetet sociale ku Rama shkruan se për “dy javë 123 kujdestarë, kuzhinierë, infermierë e staf mbështetës janë vetëizoluar në qendrat e kujdesit social, pa shkuar fare në shtëpitë e tyre, për t’iu shërbyer me kujdes maksimal atyre që kanë më shumë nevojë në këtë moment të vështirë”.

Në një video ku shihet ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu duke komunikuar me stafin që shërben në shtëpinë e të moshuarve, Rama shkruan se punonjësit e qendrave sociale po bëjnë një sakrificë fantastike në këto momente, duke i shërbyer të moshuarve të vetmuar, fëmijëve me aftësi ndryshe në qendrat rezidenciale, fëmijëve pa kujdes prindëror dhe shmangur çdo kontakt me jashtë, deri edhe kontaktin me njerëzit e tyre të afërt, me familjet e tyre.

“Kjo është Shqipëria e njerëzve që punojnë për njerëzit dhe që ndryshe nga mua, nuk i shihni në televizor a në mediat sociale”. /tvklan.al






Të ngjashme