Rama: 300 drejtorë shkollash nën nivelin mesatar


Rama: 300 drejtorë shkollash nën nivelin mesatar

20:13 30/10/2017

300 drejtorë shkollash kanë dalë në testim nën nivelin mesatar të kërkuar. Kjo shifër u bë publike nga Kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti më mësuesit, ku u prezantua platforma për rritjen profesionale të tyre.

Rama tha se qeveria është e vendosur të mbajë larg politikës zgjedhjen e drejtuesve të rinj në shkolla.

“Procesin e zgjedhjes së drejtuesve të shkollave do ta largojmë përfundimisht nga duart e partive. 300 drejtorë shkollash kanë rezultuar të jenë nën nivelin mesatar mes tyre. Zëvendësimi i tyre do të bëhet me mësues që kanë dalë më mirë në test”.

Ndërsa vlerësoi si mjaft pozotiv portalin Mësues për Shqipërinë, Kryeministri Rama tha se ai do të përmirësohet më tej.

“Pjesa e kontratave të përkohshme dhe disa elementë të tjerë aty kanë krijuar një hapësirë për abuzim dhe këtë hapësirë portali do ta mbyllë. Në mënyrë që jo vetëm reduktimi i mësuesve me kohë të plotë, por edhe gjithë pjesa tjetër me kontrata të përkohshme të bëhet në mënyrë objektive”.

Rama tha se edhe drejtoritë arsimore do të shkrihen dhe do të këtë vetëm 4 të tilla në të gjithë vendin, sipas një projekti të ndërtuar mbi rajonet.

Tv Klan






Të ngjashme