Rama bën bilancin nga tërmeti


Rama bën bilancin nga tërmeti

16:45 09/12/2019

Pallatet e dëmtuara, banesat dhe fondi i rindërtimit

Këtë të hënë është mbledhur për herë të dytë Komiteti Kombëtar i Rindërtimit. Në fokus të diskutimeve mes të pranishmëve ishte situata pas tërmetit të 26 Nëntorit që shkaktoi dhjetëra viktima, qindra të plagosur e mijëra ndërtesa të dëmtuara.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama bëri edhe një bilanc të banesave të dëmtuara deri më tani. Kreu i qeverisë theksoi se të dhënat nuk janë definitive sepse janë në përditësim të vazhdueshëm.

“Kemi 261 pallate të dëmtuara rëndë të pabanueshme në momentin aktual. 2237 banesa të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme. 851 pallate me dëmtime të konsideruara të mesme apo të lehta dhe 4618 banesa me dëmtime të konsideruara të mesme apo të lehta. Te pallatet e dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme po bëhet një punë specifike për të përcaktuar shkallën e rrezikut dhe sipas grupeve të ekspertëve të huaj, një pjesë e këtyre pallateve janë me struktura të padëmtuara dhe me dëme të rënda, por të rikuperueshme. Është bërë një numër i madh konstatimesh, të dhënat janë dinamike. Në Qarkun e Tiranës me 729 konstatime teknike të pallateve dhe 7060 konstatime teknike në banesa. Në Qarkun Durrës 5767 të inspektuara. Qarku i Lezhës janë njësi banimi me dëme të konsiderueshme 1588, me dëme të mesme 740 dhe me dëme të lehta 1560. Pastaj vijnë objektet shëndetësore. Për fat të mirë janë të gjitha me dëme të riparueshme. 8 spitale me dëme të mesme por të riparueshme, dy spitale me dëme të lehta. Janë vetëm 2 qendra jashtë funksionit dhe 12 të tjera që janë të riparueshme. Tek shkollat kemi 36 objekte me dëmtime të rënda”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se dëmtime kanë pësuar edhe institucionet e drejtësisë dhe monumentet e kulturës, ndërsa në terren janë 500 inxhinierë. Rama preku edhe fondin e rindërtimit. Kreu i qeverisë tha se në nisje janë parashikuar 20 miliardë lekë, por kjo shifër pritet të shtohet pas prithshmërive për donacione. Përveç kësaj do të ketë edhe një program të veçantë buxhetor për këtë çështje.

“Fondi për rindërtimin… ne vetë kemi konsideruar 20 miliardë që në nisje me të ardhura buxhetore dhe donacionet. Por pritshmëritë për donacione janë të konsiderueshme dhe mendojmë se do të shtohen pasi kanë nisur diskutimet edhe në nivel bilateral me shtete të tjera përveç konferencës së donatorëve që do të organizohet kur ne të kemi gati raportin e post katastrofës. Fondi do të jetë dinamik dhe do të shtohet edhe me alokime nga buxheti në vijim. Do të jetë një program i veçantë buxhetor, i trashëgueshëm, pra nuk do preket nga viti fiskal siç preken fondet buxhetore dhe do të jetë i monitorueshëm nga institucionet dhe shoqëria”, tha ai./tvklan.al






Të ngjashme