Rama: Arritëm marrëveshje me Pfizer për vaksinën
“Vaksinimi nis në Janar, BE na diferencoi”
Më në fund ka një marrëveshje me kompaninë prodhuese të vaksinës kundër Covid dhe në Janar nis vaksinimi. Njoftimin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama, që thotë se ka një dakordësi në parim për tekstin e marrëveshjes.
“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në Janar!”
Por ndërsa njofton marrëveshjen me Pfizer, kreu i qeverisë shqiptare shigjetoi qëndrimin e Bashkimit Europian, që i diferencoi vendet e Ballkanit.
“I papranueshëm moralisht, polikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!”
Pak kohë më parë, Kryeministri ishte në New York për një takim personalisht me Andrej Burla, administratorin e kompanisë Pfizer.
Paralelisht me përpjekjet për ta marrë vaksinën direkt nga kompanitë prodhuese, Shqipëria tashmë ka paguar rreth 4 milionë dollarë si formë parapagimi tek aleanca Covax për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë.
Platforma Covax pritet të furnizojë vendin tonë me 1 milion e 140 mijë doza vaksine, të cilat do të prokurohen nëpërmjet kësaj marrëveshjeje.
Tv Klan
I papranueshëm moralisht, polikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!
— Edi Rama (@ediramaal) December 30, 2020