Rama- demokratëve për vettingun: Kjo që bëni është antikombëtare, do t’a paguani
Akt antikombëtar e cilësoi kryeministri Edi Rama bllokimin, që sipas tij, opozita po i bën reformës në drejtësi përmes ligjit të vetting-ut.
Demokratëve u kujtoi se faturën për pengimin e integrimit evropian të vendit do ta merrnin në zgjedhje, ndërsa foli për kërkesën e opozitës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta përkthyer edhe njëherë ligjin, pasi ishin konstatuar gabime në variantin anglisht të misionit Euralius.
Edi Rama, kryeministër i Shipërisë:
“Ky është një akt antikombëtar i pastër, që të pengosh sot zbatimin e një reforme dhe t’i bëhesh prite një vendi të tërë duke bllokuar çeljen e negociatave. Kjo është kulmi që ju se doni vetting-un. E dinim, po që të arrinit në pikën që fajin e ka përkthyesi ka tejkaluar të gjitha parashikimet, përkthimi ku keni humbur ju është rruga e ankthit nga reforma në drejtësi… Nuk e ndalni dot zbatimin e reformës në drejtësi. Ju do ta votoni dhe do ta paguani si frëngu pulën vonesën në zgjedhjet e ardhshme. Nuk shqetësohem për këtë, por se vonesa i lë faturë të rëndë vendit.”
Në kundërpërgjigje ish-kryeministri, Sali Berisha tha se pas bllokimit të hapjes së negociatave qëndrojnë disa kushte të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë, mes të cilave prishja e konsensusit politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
Sali Berisha, Ish-Kryeministër:
Shkaku është varrosja e konsensusit nge Edi Rama. Zonja që e priti ia tha në fytyrë, marrëdhëniet politike brenda vendit do ishin garancia absolute për hapjen e negociatave. Arsyeja e dyte është krimi. Dijeni mirë se krimi është shqetësim kryesor për ta se ka te beje me sigurinë e tyre.
Kanabisi po merr revansh të madh. zgjedhjet janë kusht. Lëri kërcënimet se Shqipëria mund të bjerë në kthetrat e ISIS, ti në llumin e plehrave të historisë, se mund të marrësh kartonin e kuq. Me me Edi Ramën integrim nuk ka.”
Rama e Berisha shkëmbyen replika edhe për projektbuxhetin e vitit 2017. Ndryshe nga kryeministri Rama, që e cilësoi rezultat të përpjekjeve dhe reformave të mëdha të qeverisë, Berisha tha se ky është buxheti i mashtrimeve dhe rrënimit për shqiptarët.
/tvklan.al