Rama dhe Linde përsërisin ofertën për Lukashenkon
OSBE e gatshme të negociojë për zhvillimet në Bjellorusi
Në një letër të dytë për Presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, kryeministri i Shqipërisë në cilësinë e kreut të OSBE-së dhe Ministrja e Jashtme e Suedisë, An Linde, vendi i së cilës do të mbajë presidencën e ardhshme, përseritën ofertën për ndërmjetësim të dialogut mes palëve politike në këtë vend.
Në letrën e publikuar nga “BILD”, u ofrohet palëve një mundësi ndërmjetësimi për të diskutuar mbi sfidat aktuale të vendit.
“Si kryetarët e tanishëm dhe të ardhshëm në detyrë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, ne jemi duke ndjekur nga afër dhe me shqetësim zhvillimet në Bjellorusi. Në këtë drejtim, ne do të dëshironim të përsërisim ofertën tonë për të vizituar Bjellorusinë, për të dëgjuar pikëpamjet në lidhje me situatën dhe për të pasur një diskutim mbi sfidat aktuale në vend. Bjellorusia është një shtet i rëndësishëm pjesëmarrës i organizatës sonë dhe jemi të gatshëm ta zgjerojmë mbështetjen për të”, thuhet në letër.
OSBE u ofrua për ndërmjetësim në Bjellorusi për shkak të situatës së tensionuar pas zgjedhjeve që nxorrën fitues Lukashenkon me rreth 80% të votave. Pas protestave masive, Lukashenko ka vënë në lëvizje ushtrinë, ndërsa drejtuesja e opozitës, Svetlana Takanavskaja ka ashpërsuar thirrjet për protesta.
Tv Klan