Rama dhe Veliaj inspektojnë punimet te stadiumi
Kur sapo ka nisur shembja e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”, kryeministri premton se ndeshjet eliminatore për kampionatin e ardhshëm evropian, Kombëtarja jone e futbollit do ketë mundësi t’i luaj në “Arenën Kombëtare”.
Kryeministri Edi Rama:
Shikojmë me kënaqësi se po avancon me shpejtësi të madhe, siç është në fakt, në filozofinë e Bashkisë se re të Tiranës, ky projekt historik që do t’i kthejë në fakt Tiranës një vlerë të jashtëzakonshme përmes një investimi të jashtëzakonshëm, duke bërë të mundur që në vend të ngrehinës së vjetër, ku as futboll në nivel ndërkombëtar nuk luhej dot, por as për qytetarët nuk ofrohej asgjë. Një stadium nesër ndër më të bukurit e Europës, një hapësirë urbane dhe publike ndër me të bukurat, në mos më e bukura e Tiranës së shekullit të ri, dhe një përgjigje e merituar për të gjithë ata që nuk dinë asgjë tjetër përveçse të ngrenë gishtin e akuzës nga kafenetë ose nga kafja e madhe e pazarit të thashethemeve. Unë jam shumë krenar që ky projekt vjen vërtet në një kohë që përkon me shembullin e jashtëzakonshëm që Kombëtarja u dha të gjithëve, së çfarë është në fakt, për një popull, për një shoqëri, për një vend si i yni, sporti dhe suksesi në sport”
Në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri ka inspektuar punimet për çmontimin e stadiumit të vjetër ku parashikohet te realizohet ky projekt i realizuar nga një kompani projektimi italiane. Veliaj flet për ritme te larta të punimeve ndërsa sipas tij investimet e shumta që po bën bashkia për zhvillimin e sportit, do t’i sjellin qytetit një sërë përfitimesh financiare.
Erion Veliaj:
“Përveçse ka një tempull të futbollit, që besoj vjen në momentin më të mire, qyteti do përfitojë 4 sheshe publike, që momentalisht nuk i ka, në secilën prej anëve, veri-jug-lindje-perëndim, që do të jenë për përdorim publik gjatë gjithë ditëve që nuk ka ndeshje. Jemi sot në një proces vendim-marrje, ku si parkingu përpara, si parkingu mbrapa, kthehen në 2 parkingje nëntokësore”
Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 dhe pritet të hap dyer për tifozët kuqezi brenda 24 muajve të ardhshëm. “Arena Kombëtare” do të ruaje pjesën ballore të stadiumit ekzistues, që është shpallur Monument Kulture. /TV KLAN