Rama: Nisim vaksinimin në dy muajt e parë të 2021
“Bisedime edhe me Moderna dhe Astra Zeneca”
Edhe Shqipëria nuk do të jetë pas vendeve të Bashkimit Evropian, sa i përket vaksinimit të popullatës. Lajmin e ka dhënë Kryeministri Rama, i cili është takuar gjatë vizitës së tij në Shtetet e bashkuara me kreun e Pfizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, duke siguruar se brenda muajit shkurt do të nisë vaksinimi.
“Një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse. Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore. Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën.
Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin. Duket e pamundur por ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat”.
Përveç garancisë së marrë nga Pfizer, Kryeministri thotë se qeveria shqiptare do të hapë në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astra Zeneca. Pak javë më parë qeveria la 3.9 milionë Euro kapar për blerjen e 1 milionë e 140 mijë dozave vaksinë që do të mbulojë 20% të popullsisë.
Tv Klan